Një person është ndaluar për 48-orë në Gjilan për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Siç ka informuar Prokuroria Themelore në Gjilan, A.K dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të lëshuar kinse nga Ministria e Forcës së Sigurisë (Ministria e Mbrojtjes).
Me dokumentin në fjalë i dyshuari ka aplikuar në një tender publik në vitin 2021, në komunën e Gjilanit dhe e ka fituar të njëjtin.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës – Njësinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve të dyshuarin A.K., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik’’, nga neni 415 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.