Seanca gjyqësore në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha është shtyrë sërish për në orën 15:00. Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokatëve të Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Gjithashtu bëhet me dije se seanca u shty dhe për t’i dhënë më shumë kohë avokatëve, Rabie Cenalia dhe Jalldiz Kastrati, të caktuar kryesisht nga gjykata, për t’u njohur me aktet, shkruan euronews.al.
Kujtojmë se pas largimit të dy avokatëve të Berishës nga gjyqi të martën, gjykata vendosi të caktonte dy avokatë kryesisht.
Fillimisht Gjykata e Posaçme caktoi avokatin Artan Simoni, ndërkohë që pak orë më vonë ai u hoq për shkak të qëndrimeve kundër ish-kryeministrit Berisha në rrjete sociale.
Avokatët Genc Gjokutauj dhe Sokol Mëngjesi braktisën seancën e të martës nën argumentat se gjykata shkeli kushtetutën dhe ligjin. Sipas Gjokutaj, GJKKO rrëzoi paligjshmërisht kërkesën e tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të masës së sigurisë pa kaluar nga parlamenti.


























