Në Prizren hapet Festivali Ndërkombëtar ‘Zgjimi me Art’

Në Prizren hapet Festivali Ndërkombëtar ‘Zgjimi me Art’

Në hapësirat e hamamit historik Gazi Mehmed Pasha në Prizren, sot u bë hapja e Festivalit Ndërkombëtar “Zgjimi me Art”, përcjell Kosova Post.

Në hapjen e edicionit të 16-të të këtij Festivali, morën pjesë ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcılar, guvernatori i qytetit të Edirnes Günay Özdemir, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren Eylem Altunya, përfaqësues institucioneve dhe të shoqërive civile, artistë nga shtete të ndryshme të rajonit si dhe qytetarë të Prizrenit.

Në një fjalë rasti gjatë hapjes, guvernatori i Edirnes Özdemir përuroi organizatorin e këtij festivali Ethem Baymak për punën e bërë për vazhdimin e një festivali të tillë për 16 vite, duke thënë se kjo kërkon një punë dhe përpjekje të madhe.

Ambasadorja Kılıç tha se Festivali “Zgjimi me Art” sjell kontribute të mëdha në jetën kulturore të Kosovës si dhe të rajonit. Ajo shtoi se gjatë një jave artdashësit do të jenë dëshmitarë të aktiviteteve të bukura artistike.

Në një deklaratë për AA shefi i bordit organizativ të këtij festivali, Ethem Baymak tha se temë e këtij edicioni të festivalit është “Kapixhiku”, pra dera e vogël që lidh dy shtëpi, me të cilin, sipas tij, duan ta vënë theksin në përqafimin e miqësisë. Ai bëri të ditur se në kuadër të këtij festivali do të organizohen aktivitete të ndryshme si ekspozita të pikturave dhe të fotografive, koncerte, shfaqje të filmave e prezantime të librave. Baymak shtoi se në festival do të marrin pjesë artistë nga shtete të ndryshme, sidomos nga Turqia, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria.

Në kuadër të aktiviteteve të sotme të këtij festivali në hapësirat e hamamit Gazi Mehmed Pasha u hapën ekspozitat personale të piktorit maqedonas Vladimir Temkov si dhe të piktores së re kosovare Tina Sulejmani.

Ndërkaq në kuadër të këtij festivali sot në hapësirat e qendrës kulturore Instituti Yunus Emre në Prizren u hap edhe ekspozita e fotografit nga Turqia Bilgin Ayyıldız me temën “Edirne”, ndërsa u mbajt recitali me klarinetë të artistit të ri kosovar Muhammed Şatri.

Festivali “Zgjimi me Art” për herë të parë ka nisur në vitin 2002 me iniciativën e artistëve të komunitetit turk të Kosovës dhe ky është edicioni i 16-të i tij. Festivali do të vazhdojë deri më 27 qershor, ku edhe mbyllja e tij do të bëhet me koncertin e Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke (TÜRKSOY).

You may also like

Trump: ‘Marreveshjet me Saudine na mbajne me mijera vende pune’

Presidenti Trump ka reagur per rastin Khashikci dhe