Sabiu Suleiman, kreu tradicional i Kachia-s tha se personat bastisën disa shtëpi dhe një furrë buke, ekzekutuan 3 persona dhe rrëmbyen 33 të tjerë të mërkurën në mbrëmje.
Persona të armatosur kanë rrëmbyer të paktën 33 persona, përfshirë një grua shtatzënë dhe fëmijë, gjatë një sulmi në shtetin veriperëndimor të Nigerisë, Kaduna, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sabiu Suleiman, kreu tradicional i Kachia-s, një qytet në Kaduna, tha të enjten se personat bastisën disa shtëpi dhe një furrë buke, ekzekutuan 3 persona dhe rrëmbyen 33 të tjerë të mërkurën në mbrëmje.
“Banditët hynë në disa shtëpi. Njëzet e shtatë persona u rrëmbyen nga një vendtakim në Kachia dhe 5 të tjerë derisa banditët bastisën një furrë buke”, i tha Suleiman një delegacioni të zyrtarëve qeveritarë dhe shefave të sigurimit gjatë vizitës së tyre në qytet.
Ai tha se personat e armatosur filluan të shtënat sapo mbërritën në qytet. Ai u bëri thirrje agjencive të sigurisë për të siguruar lirimin e banorëve të rrëmbyer.
Policia gjithashtu konfirmoi incidentin të enjten por nuk dha detaje mbi viktimat e sulmit.
Komisioneri shtetëror i Kaduna-s për Sigurinë dhe Punët e Brendshme, Samuel Aruwa u tha gazetarëve se agjencitë e sigurisë në shtet janë në gjurmët e rrëmbyesve. Ai tha se qeveria do të mbrojë qytetarët.