Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se me përhapjen e urisë në të gjithë botën, vendet duhet të ndalojnë subvencionimin e produkteve të duhanit dhe të ndihmojnë fermerët të kultivojnë drithëra dhe të prodhojnë ushqim, transmeton KosovaPost.
Me afrimin e Ditës Botërore kundër Duhanit, Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu keqardhjen që 3 milionë e 200 mijë hektarë tokë pjellore në 124 vende të botës, edhe në zonat ku njerëzit vuajnë nga uria, janë nën kultivimin e duhanit.
Tedros Adhanom, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për këtë tha: Qeveritë në mbarë botën shpenzojnë miliona dollarë për të mbështetur fermat e duhanit, ndërsa zgjedhja e rritjes së drithërave në vend të duhanit i lejon botës të përmirësojë shëndetin, të ruajë ekosistemet dhe të forcojë sigurinë e ushqimit për të gjithë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportin e saj të ri të titulluar “Rritni drithëra, jo duhan”, vëren se 349 milionë njerëz aktualisht po përballen me pasiguri ushqimore, shumë prej tyre në 30 vende të kontinentit afrikan, ku kultivimi i duhanit çdo vit është rritur me 15%. Sipas të njëjtit raport, 9 nga 10 vendet më të mëdha prodhuese të duhanit janë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Bujqësia e duhanit duke pushtuar tokat bujqësore rëndon sfidat e sigurisë ushqimore të këtyre vendeve.
Gjithashtu dëmtohet edhe mjedisi dhe komunitetet që mbështeten tek ai, pasi zgjerimi i kësaj kulture çon në shpyllëzim, ndotje të ujit dhe degradim të tokës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Kosova Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.