Presidentja e vendit,Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në varrezat e të rënëve në fshatin Vërboc të Drenasit, me të ishin bashkë kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci dhe i pari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Osmani ka thënë se 30 prilli është njëra nga datat më të dhimbshme për shkak se rreth 300 persona janë vrarë mizorisht dhe barbarisht nga forcat serbe.
“Një numër i madh i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë në këtë ditë, duke mbrojtur popullsinë e pafajshme civile. Kjo ditë na kujton që themelet e shtetësisë tonë janë ndërtuar me gjakun e shumë civilëve, me gjakun e shumë heronjve dhe civilëve”.
“Kujtimi për ata do të jetë i përjetshëm, duke njohur kontributin dhe sakrificën e të gjithëve, ne do të mund ta ndërtojmë rrugën për shtetin tonë”, ka thënë Osmani.