Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar fëmijët e Kopshtit “Xixëllonjat”, ku mori pjesë në programin festiv të organizuar me rastin e 28 Nëntorit.
Presidentja ka vlerësuar me fjalë të ngrohta performancat e fëmijëve, duke theksuar talentin, gëzimin dhe energjinë që ata sollën përmes programit artistik.
“Fëmijët e talentuar dhe të ëmbël të Kopshtit ‘Xixëllonjat’ e mbushën ditën me dritë, gëzim dhe shumë dashuri”, ka shkruar Osmani, duke falënderuar edhe stafin e kopshtit për përkushtimin dhe mikpritjen.
Aktivitetet festive po zhvillohen në institucionet edukative në të gjithë vendin në kuadër të shënimit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.


























