Palestina i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që të marrë të gjitha masat e mundshme për të ndaluar “shkeljet e Izraelit”, transmeton Kosovs Post.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Palestinës thuhet se Përfaqësuesi i Palestinës në OKB, Riyad Mansour u ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kryetares së Këshillit të Sigurimit për muajin maj, Pascale Christine Baeriswyl dhe kreut të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Csaba Körösi.
Në letra theksohet se “Provokimet, nxitjet e vazhdueshme të Izraelit me vjedhjen e tokës, zhvendosjen e detyruar të civilëve palestinezë dhe të gjitha aktivitetet e tjera në territoret e Palestinës nën pushtim, kryesisht në Kudsin Lindor, shkelin në mënyrë të rëndë ligjin ndërkombëtar”.
Bastisja e Xhamisë Al-Aksa nga ministri izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir është shkelje e statusit ligjor dhe historik aktual, thuhet në letrat ku bëhet e ditur se është e detyrueshme që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ritheksojë se refuzon sovranitetin që Izraeli synon në Kuds dhe në territoret e tjera palestineze nën pushtim.
Mansour në letra deklaron se është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të dënojë aktivitetet e Izraelit për vendbanimet.
Ndër të tjera në letrat ku vëmendja tërhiqet mbi rëndësinë e mbrojtjes së popullit të Palestinës, thuhet se është e detyrueshme që komuniteti ndërkombëtar të përmbushë veprimet që e bëjnë të mundshme ndalimin e të gjitha krimeve të luftës dhe të shkeljeve kolosale të të drejtave të njeriut që Izraeli ka kryer kundër njerëzimit.