Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe formimin e Qeverisë.
PDK-ja ka bërë të ditur se para Gjykatës Kushtetuese në orën 9:00, kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu, do të mbajnë një konferencë për media, ku do të prezantojë lëndën që do ta dërgojnë për shqyrtim.
Të dielën, Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme. Tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës nuk morën pjesë fare në seancë.
Votimit të Qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e cila u mbajt në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Legjislaturën e 11-të, ndonëse nuk u zgjodh nënkryetari nga radhët e PDK-së.
PDK-ja e bojkotoi vazhdimin e seancës, duke pretenduar se në këtë proces janë shkelur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.
Tashmë mbetet të shihet se çfarë kërkese do t’i parashtrojë PDK-ja Gjykatës Kushtetuese dhe si do të vlerësohet ajo nga ky institucion.


























