Policia e Kosovës njofton se gjatë zbatimit të Planit Operativ “Shtatori 2026” dhe “Gatishmëria Vepruese 2026”, dhe pas sigurimit të informatave operative, njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërmarrë një aksion të shpejtë dhe të koordinuar në fshatrat e brezit kufitar Rogoqicë-Novosellë, Komuna e Kamenicës, ku kanë arritur të lokalizojnë dhe ndalojnë një rast të kontrabandimit të mallrave, përcjell KosovaPost.
“Pas vëzhgimit intensiv dhe ndërhyrjes në momentin e duhur, është ndaluar automjeti Citroen C5, ngjyrë hiri me targa serbe (SRB) duke levizur nga fshati Rogoqicë në drejtim të Novosellës, ku shofer i veturës së lartëcekur ishte personi A. A. me vendëlindje në Konqul (1972) dhe me vendbanim në Gjilan. Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar bunker të fshehur në bagazh, karrige para/mbrapa dhe në dritat e përparme të automjeti ku gjatë kontrollit të hapësirës ishte arritur të sekuestrohet një sasi të konsiderueshme të duhanit të dyshuar të kontrabanduar, të markave të ndryshme, konkretisht: Duhan ne paketime nga 60x500gram të brendeve të ndryshme si: Malboro, Vinston, me peshë totale rreth 30 kilogramë; Cigare ne paketime 164 shtega (10 pako secila) të brendeve të ndryshme si: Karelia dhe President, dhe Cigare 4 pako të vogla”, njofton Policia e Kosovës.
Sasia e konsiderueshme e duhanit dyshohet se ishte destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.
“Të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim të plotë me prokurorin kompetent, ndërsa rasti është duke u trajtuar dhe hetuar intensivisht nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu. Policia e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur dhe e pa kompromis në luftën kundër kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti ilegal që cenon sigurinë dhe rendin juridik të vendit”, njofton Policia e Kosovës.


























