Pas takimit të sotëm me shefin e CIA-s, William Burns, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dëshiron t’i forcojë e zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas kreut të ekzekutivit, vizita e drejtorit të CIA-s, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.
“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”, është shprehur kryeministri Kurti.
Për më tepër kryeministri Kurti bëri të ditur se në këtë takim ka shprehur përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.