Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka dërguar emrat e kandidatëve të propozuar nga partitë politike për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucioneve kompetente të sigurisë për verifikimin e tyre.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton se, pas pranimit të propozimeve me shkrim nga subjektet politike për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u është drejtuar institucioneve kompetente të sigurisë me kërkesë për verifikimin e kandidatëve të propozuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidentes.
Tutje, bëhet e ditur se afati pesëditor për pranimin e propozimeve ka përfunduar të premten, ndërsa procedura e emërimit nuk ka përfunduar ende, për shkak se janë në pritje të përgjigjeve lidhur me verifikimet e kërkuara.
“Afati pesëditor nga pranimi i propozimeve ka përfunduar të premten, ndërsa procedura e emërimit ende nuk është përmbyllur për shkak se Zyra e Presidentes është në pritje të përgjigjeve nga institucionet kompetente lidhur me verifikimet e kërkuara”, shkruhet tutje në njoftim.
Pas pranimit të verifikimeve, nga Presidenca bëjnë të ditur se do të ndërmarrin veprimet për përmbylljen e procedurës së emërimit të anëtarëve të KQZ-së.


























