Sot, shkrimtari dhe poeti Ismail Kadare feston ditëlindjen e tij të 86-të, përcjell KosovaPost.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimin në Facebook ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë.
I tillë është shkrimtari ynë Ismail Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve.
Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.
Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.
Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij.
E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër!
Paç shëndet!