Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Ç.S., D.S., F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
Po ashtu, e njëjta është kërkuar dhe për të dyshuarin – zyrtari policor I.S., për shkak të veprës penale “Kanosja”, transmeton KosovaPost.
“Të pandehurit Ç.S., D.S. dhe F.B., më datë 31.08.2024 rreth orës 15:50min, në Prizren, në rrugën “Wiliam Wolker”, pikërisht në parkingun e një Qendre Tregtare, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmtojnë shëndetin të dëmtuarit S.B., në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari ishte nisur për tek automjeti të cilin e kishte parkuar në oborrin e qendrës tregtare, është ndalur i pandehuri Ç.S., ku fillimisht kishte filluar konflikti verbal në mes tyre, pastaj Ç.S., e godet me kokë dhe aty ndërhyjnë edhe të pandehurit D.S., dhe F.B., të cilët me grushta e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me çka të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore, të përshkruara si në raportin mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal “Prim. Dr. Daut Mustafa” Prizren”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.