Protestë e tensionuar në Tiranë, policia rrethon Parlamentin

Situata para Kuvendit të Shqipërisë u përshkallëzua teksa protestuesit dhe forcat e Policisë së Shtetit u përfshinë në përplasje të përsëritura pak para nisjes së seancës së fundit plenare të kësaj legjislature.

Pas hedhjes së vezëve, domateve dhe sendeve të tjera në drejtim të efektivëve, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper.

Sipas medieve, një efektiv policie mbeti i lënduar gjatë përplasjeve. Më pas u raportua se edhe dy policë të tjerë pësuan lëndime. Po ashtu, një protestues është lënduar nga një gur në kokë dhe u dërgua drejt ambulancës.

Protestuesit, të cilët ishin mbledhur përpara godinës së Parlamentit, arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga policia për sigurimin e perimetrit.

Më pas ata hodhën vezë, domate dhe bidonë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa nga ana e organizatorëve pati edhe thirrje për të mos sulmuar uniformat blu.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si: “Deputetë frikacakë”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, ndërsa protestuesit kërkuan lirimin e Kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u përpoqën të bllokojnë rrugën te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit duke mos lejuar kalimin e mjeteve.

Situatë kaotike u raportua te bulevardi “Zhan d’Ark” ku protestuesit përpiqen të ndalojnë makinat. Disa prej tyre tërhoqën në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.

Policia e Shtetit kishte marrë masa të forta sigurie për zhvillimin e seancës plenare, duke rrethuar Kuvendin me gardhe metalike në një perimetër më të gjerë se në protestat e mëparshme, nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Në zonë u dislokuan forca të shumta policie, përfshirë repartet “Shqiponja”, ndërsa pranë Parlamentit u vendosën edhe autobotë me ujë në gatishmëri, në rast të përshkallëzimit të situatës.

Për shkak të masave të sigurisë, hyrja në zonën e rrethuar u kufizua jo vetëm për qytetarët dhe automjetet, por edhe për përfaqësuesit e mediave.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish