Qeveria e Kosovës ka miratuar një varg vendimesh për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga projekte të ndryshme infrastrukturore në disa komuna të vendit.
Në mesin e vendimeve të miratuara janë shpronësime për zgjerimin e rrugëve nacionale, rehabilitimin dhe sanimin e rrugëve, ndërtimin e parqeve industriale, si dhe projekte të komunave në Podujevë.
Një nga vendimet përfundimtare të miratuara nga Qeveria lidhet me shpronësimin shtesë të pronave në zonat kadastrale Ferizaj dhe Talinoc i Jerlive, të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e Rrugës Nacionale N2, segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.
Vendim përfundimtar për shpronësim është miratuar edhe për pronat që preken nga projekti i zgjerimit të Rrugës Nacionale M25, Prishtinë–Podujevë.
Shpronësimi në këtë rast përfshin prona në zonat kadastrale Bërnicë e Epërme, Bardhosh, Trudë, Lebanë, Prugoc, Besi, Vranidoll dhe Teneqsholl në Komunën e Prishtinës, si dhe Lupç i Poshtëm, Shakovicë, Lluzhan dhe Llugë në Komunën e Podujevës.
Ndërkohë, Qeveria ka miratuar vendime preliminare për shpronësime që lidhen me disa projekte infrastrukturore.
Njëri prej tyre ka të bëjë me rehabilitimin e rrugës rajonale R112, në segmentin Gjonaj–Bishtazhin, ku preken prona në zonën kadastrale Gjinaj, në Komunën e Prizrenit.
Vendim preliminar është marrë edhe për shpronësimin e pronave që preken nga projekti për sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit–Gorancë, në zonën kadastrale Rezhancë, në Komunën e Hanit të Elezit, raproton Telegrafi.
Në Gjakovë, vendimi preliminar për shpronësim lidhet me ndërtimin e Parkut Industrial, ndërsa përfshihen prona ish-shoqërore “Virgjinia” dhe “Metaliku”, të menaxhuara dhe administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe prona private.
Vendime për shqyrtim të mëtejmë të kërkesave për shpronësim janë miratuar edhe për disa prona ish-shoqërore nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve në Komunën e Podujevës.
Në kuadër të këtyre projekteve përfshihen edhe Ndërtimi i Tregut të Kafshëve dhe Ndërtimi i Tregut të Gjelbërt në Podujevë.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave që preken nga realizimi i projektit të Autostradës “Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë”, segmenti Banullë–Bresalc. Pronat e përfshira ndodhen në zonën kadastrale Banullë, në Komunën e Lipjanit.
Një tjetër kërkesë për shpronësim që do të shqyrtohet më tej lidhet me objektin e evidentuar si “Shtëpi banimi 1935”, i cili është nën menaxhim dhe administrim të AKP-së dhe në pronësi të Komunës së Podujevës.
Sipas vendimit, shpronësimi i këtij objekti është i nevojshëm për realizimin e projektit për ndërtimin e Muzeut të Qytetit të Podujevës.
Vendimet për shpronësim përbëjnë një nga hapat administrativë për sigurimin e pronave të nevojshme për realizimin e projekteve publike, ndërsa në rastet e vendimeve preliminare dhe të shqyrtimit të mëtejmë, procesi vijon në fazat e parapara ligjore.


























