Kujtimet për pranverën e hershme të para tri dekadave, sjellin klithmat e mijëra nxënësve shqiptarë. Serbët kishin helmuar të rinjtë e pafajshëm në shumë shkolla të Kosovës.
Por, shteti jugosllav nuk e pranoi kurrë këtë, duke thënë se kjo ishte inskenim dhe aktrim i përgatitur.
Mjekë e profesorë sjellin rrëfime, për atë që ngjau në marsin e vitit ’90, ku u helmuan rreth 8 mijë persona me helm toksik. Të njëjtit, kishin prezantuar fakte edhe përballë serbëve, duke ngulmuar se po bëhej fjalë për helmim masiv.
Helmi i përdorur kishte ndikim të fortë në organizëm duke u shkaktuar shtangim muskujsh, vjellje, alivanosje, çrregullim ndjenjash e shumë pasoja të tjera.
Xhafer Murtezaj, që në atë kohë ishte profesor i lëndës së Edukatës Fizike në gjimnazin e Skenderajt, kujton klithjet e nxënësve në secilën klasë të shkollës.
75-vjeçari rrëfen për KosovaPress tmerrin e përjetuar aso kohe.
“Sa dëgjohej një klithmë në një klasë, katër-pesë vajza, dëgjohej në tjetrën. Krijohej një panik edhe te tjerët nxënëse. Mandej u krijua një shqetësim i madh në popullatë. Vinin prindërit, nuk kishin mjete spitali, në Skenderaj atë herë nuk kishte më shumë se dy-tri vetura. Ata qytetarë që kanë pasur vetura edhe deri në spital i kanë bartur apo ka pasur raste që i kanë bartur edhe deri në Qendrën Mjekësore të Kosovës. Ajo ka qenë diçka shumë e rëndë”, rrëfen Murtezaj.
Mostrat e marra nga gjaku i të helmuarve vështirë vërtetoheshin. Edhe në udhëheqje të spitaleve kishte serbë, të cilët pengonin për tu ndriçuar e vërteta. Vet pushteti i atëhershëm punonte shumë që të mos kuptohej e vërteta e këtij krimi.
“Kam marrë gjakun e disa pacientëve, jo të gjithë pacientëve. Dhe meqenëse analizat nuk ka qenë e mundur që të kryhen në Institutin e Biokimisë që ka qenë dy kate më lartë, sepse drejtori ka qenë serb. Jam marrë vesh me shefin e laboratorit biokimik në Obiliq që t’i ruajmë mostrat dhe t’i punojmë gjatë natës sa ka qenë kujdestar. Këto rezultate kanë treguar se më shumë se 70 përqind të pacientëve të pranuar nuk kanë pasur vlera të kalciumit, që si të tilla mjaftojnë për t’i shkaktuar ato ngërçe hiperkalcimike”, tregon Neshet Rizvanolli, i cili në atë kohë punonte në Njësinë Nukleare në Prishtinë.