Rusia nuk do të heqë dorë nga interesat e saj për shkak të kërcënimit të Amerikës, njoftoi ambasada ruse në Uashington. Nuk do të ketë lëshime për shkak të sanksioneve, thuhet në deklaratë, transmeton Kosova Post.
“Gjeneratori i tensionit nuk është Moska, por Uashingtoni. Ne nuk synojmë të tërhiqemi dhe të qëndrojmë në mënyrë paqësore përballë kërcënimit të sanksioneve amerikane”, deklrahohen nga ambasada përmes një postimi në Facebook.
Tutje, vihet në dukje se Shtetet e Bashkuara “nxitën një grusht shteti radikal-nacionalist në Kiev, për këtë arsye banorët e Krimesë ishin nën kërcënimin e shkatërrimit dhe votuan për bashkimin me Rusinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Gjithashtu thuhet se Uashingtoni po furnizon autoritetet ukrainase me armë moderne sulmuese, duke përmbushur dëshirat e qeverisë së Vladimir Zelensky për të zgjidhur problemin e Donbasit me forcë.
Diplomatët rusë kanë akuzuar Uashingtonin për shkeljen e parimit të pandashmërisë së sigurisë dhe për afrimin e infrastrukturës së tij ushtarake pranë kufijve të Rusisë.
Në të njëjtën kohë, theksohet se Rusia ka të drejtë sovrane për të lëvizur forcat e saj në territorin e saj dhe se kjo nuk përbën kërcënim për askënd, shkruan sputnik. Kujtojmë se vendet perëndimore po kërcënojnë Rusinë me sanksione të paprecedentë në rast të përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë./Kosova Post/