Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur në një pikë të rrezikshme, pasi Rusia kërkoi garancitë e sigurisë, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, transmeton Kosova Post.
“Në kushtet kur marrëdhëniet tona kanë arritur një vijë kritike të rrezikshme për fajin e Uashingtonit, është urgjente të ndërmerren hapa konkretë për të reduktuar konfrontimin”, theksoi Ryabkov, duke shtuar se situata në marrëdhëniet Rusi-NATO është e papranueshme dhe potencialisht shpërthyese.
Ai përsëriti se përfshirja e Ukrainës në NATO krijon një kërcënim të papranueshëm për sigurinë e Rusisë dhe mbart një rrezik për të gjitha vendet.
Dihet mirë se tërheqja hipotetike e Ukrainës në NATO, me perspektivën e shfaqjes së sistemeve raketore goditëse të SHBA-së e NATO-s, në kufijtë tanë me kohë minimale fluturimi drejt Rusisë Qendrore, krijon një kërcënim të papranueshëm të sigurisë për vendin tonë, ndërkohë që shkakton rreziqe serioze për të gjithë të përfshirët”, theksoi diplomati rus.
Moska nuk përjashton që Perëndimi mund të provokojë autoritetet në Kiev për veprime të pamatura dhe të rrezikshme.
Merreni më seriozisht propozimin e Rusisë
Ryabkov gjithashtu i bëri thirrje palës amerikane që t’i marrë më seriozisht propozimet e sigurisë së Rusisë, sepse “situata ndërkombëtare është shumë e tensionuar”.
Ai thekson se draft-marrëveshja e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për garancitë e sigurisë duhet parë në tërësi.
“Tekstet nuk janë të kompozuara sipas parimit të menusë, ku mund të zgjidhet njëra apo tjetra – ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe duhen konsideruar si një e tërë. Në secilin prej këtyre dokumenteve, aspekte të ndryshme të situatës shqetësuese në Evropë, në rajonin euroatlantik dhe në Euroazi shtjellohen në mënyrën e tyre.”Një qasje komplekse, gjithëpërfshirëse ndaj problemeve të sigurisë është e rëndësishme për ne,” theksoi diplomati rus.
Moska është gati të nisë negociatat me Shtetet e Bashkuara në një vend të tretë dhe Gjeneva tashmë është propozuar si një platformë negociuese.
Ryabkov tha se ishte i gatshëm të takohej me përfaqësuesit e SHBA-së dhe të diskutojë garancitë e sigurisë kudo që ata dëshirojnë.
Në të njëjtën kohë ai thekson se garancitë e sigurisë duhet të jenë të natyrës ligjore dhe se nuk ka mundësi tjetër për shkak të mosbesimit të plotë në premtimet e SHBA-së dhe NATO-s.
Rusia, konsideron se propozimet e saj për garancitë e sigurisë nuk janë të papranueshme për SHBA-të dhe NATO-n.
“Unë mendoj se situata që është krijuar në Evropë dhe Euroazi së fundmi është kaq rrënjësisht e ndryshme nga gjithçka që ka ndodhur më parë, saqë këtu nuk mund të aplikohen shabllone, asnjë standard nga përvoja e mëparshme nuk mund t’i përshtatet kësaj situate në asnjë mënyrë” , theksoi Ryabkov, shkruan sputnik. Ai shtoi se me iniciativën e saj për garancitë, Moska po i ofron NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të fillojnë nga e para./sh.o./Kosova Post/.