Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e mbështesin përdorimin e fuqive të Bonit për të ruajtur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (1995) dhe Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, ka njoftuar Departamenti i Shtetit nëpërmjet një cicërime në llogarinë zyrtare në “Twitter”.
Ky reagim vjen pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, i cili anuloi dy ligje anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska – entiti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – në bazë të kompetencave të Bonit për anulimin ose ndryshimin e ligjeve.
“Ne do t’i bëjmë përgjegjës për veprimet e tyre individët që përfshihen në aktivitete që nuk janë në përputhje me marrëveshjen e paqes të Dejtonit”, ka shkruar Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shpërndarë deklaratën e plotë të diplomacisë amerikane.
“Sulmi ndaj Dejtonit vjen me pasoja. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fuqimisht përdorimin e fuqive të Bonit nga përfaqësuesi i lartë për të mbrojtur marrëveshjen e paqes të Dejtonit dhe për të mbrojtur Gjykatën Kushtetuese, e cila është rojtare e shtetit të së drejtës në Bosnje dhe Herzegovinë”.