Në Kremlin po zhvillohet takimi i parë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kancelarit të ri gjerman Olaf Scholz. Në fillim të bisedimeve, Putin theksoi se Gjermania është partneri prioritar i Rusisë dhe se energjia është një nga drejtimet kyçe të bashkëpunimit mes dy vendeve, transmeton Kosova Post.
“Më vjen mirë që u takuam, që ju pres në Moskë. Dua të theksoj se Gjermania është partneri ynë prioritar në përgjithësi dhe në Evropë në veçanti”, tha Putin.
Kur është fjala për bashkëpunimin në fushën e energjisë, Putin theksoi se Rusia është një furnizues i besueshëm i energjisë në Evropë, se nuk ka ndërprerje në furnizim dhe se procesi zhvillohet në parimet e tregut.
Presidenti rus tha gjithashtu se një pjesë e madhe e kohës gjatë bisedimeve do t’i kushtohet çështjes së sigurisë në Evropë, duke përfshirë situatën rreth Ukrainës.
Scholz u shpreh i kënaqur që ka mundësinë të bisedojë me presidentin rus për situatën komplekse që ekziston aktualisht në Evropë.
“Tani që situata e sigurisë në Evropë është e ndërlikuar, duhet të flasim. Më vjen mirë që kjo është e mundur”, tha Scholz.
Para takimit, kancelarja gjermane vendosi një kurorë në Monumentin e Heroit të Panjohur pranë Kremlinit.