Në fundvit, Kryetarët e Komunave të Kosovës, shpesh shpërndajnë dhurata për fëmijët të cilët padyshim se iu gëzohen këtij gjesti human, raporton KosovaPost.
Megjithatë, krahas dhënies së dhuratave, këtë vit mori vëmendje kryetari i komunës së Skënderajt, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura, i cili ka zgjedhur t’iu jap dhurata fëmijëve, por duke neglizhuar faktin se ato janë produkte serbe.
Nga faqja e Komunës, është publikuar një fotografi, teksa shihet Nura duke i dhënë dhuratë një vajzë të vogël, ku në pakon e saj shkruan “Pionir”, e që është marka nga Serbia.
Duke u bazuar në faktin se këto dhurata janë blerë me para të taksapaguesve, të cilët ende nuk i kanë të mbyllura plagët me humbjen e familjarëve të tyre gjatë luftës, e shumë prej tyre që nuk janë gjetur ende, ky veprim nga Kryetari i Komunës nuk pritej.
Sidoqoftë, postimi se ku është publikuar fotografia, pra nga faqja e Komunës, është fshirë./KosovaPost/