Kreu i Trupit Gjykues, Charles L. Smith, ka vendosur të nisë procedurën për kompenzimin ndaj viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
Vendimi i marrë dje dhe i publikuar sot, parasheh nisjen e procedurës për reparacionet dhe nxjerrjen e një urdhri për kompensimin e viktimave.
Sipas vendimit, palëve u janë përcaktuar afate gjatë shtatorit dhe tetorit për të njoftuar Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin prova lidhur me reparacionet.
Vendimi:
a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacionet, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;
b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;
c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;
d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;
f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;
h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;
i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;
j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026.


























