Gjithçka ka fund, përfshirë edhe zhvatja, korrupcioni dhe përdorja e institucionit të Teatrit Kombëtar, për mbetjen “në trend” të llumit artistik dhe përmbushjen e interesave individuale e financiare të tij.
Shkruan: Naim Berisha
Mbyllja e këtij institucioni viteve të fundit dhe përdorja, nga një klan i integruar individësh profiterë, ka rezultuar me realizimin e të ashtuquajturave shfaqje klishe pa asnjë vlerë artistike , nëpërmjet të cilave është promovuar vetëm banaliteti, zhveshja dhe pornografia.
Ky klan kanceroz, metastazat e tij po viteve të fundit, i ka lëshuar edhe në disa teatro të qyteteve, me metodën: “Ti më jep projektin atje, unë të jap këtu. Unë atje i marrë njerëzit e mi, ti këtu i merr njerëzit e tu. Nganjëherë atje e këtu, mund të bëjmë ndonjë kombinim, por vetëm me të tut dhe të mitë”….Kështu ka funksionuar e po funksionon metastaza e uzurpimit, zhvatjes, antivlerës e krimit me epiqendër Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Pasi ia zunë frymën konkurences me metodën e sipërpërmendur “unë e ti, ti e unë …të tjerët kurrkund”, duke mbetur vetëm kjo antivlerë reprezentuese e vlerës sonë artistike, si e tillë ju vardis ambasadave të shteteve mike, duke i përvetësuar kauzat e të tjerëve si të ishin të tyre, vetëm për të përfituar e ardhur në shprehje, si kauzën kundër homofobisë, si dhe trendin e bashkëpunimit ndëretnik dhe multietnicitetit.
Pas vardisjes se suksesshme ndaj të huajve, ky klan i integruar filloi të jap shfaqje e të organizoi festivale atje e këtu, në vendet e rajonit si dhe nëpër bodrume të disa vendeve evropiane.
Më njohjet që krijuan dhe mjetet financiare që përfituan, nëpërmjet këtyre aktiviteteve antivlerë (klishe), jo vetëm që blenë shtëpi e katandi, por arritën ti manipulojnë edhe disa media vendore, të cilat sistematikisht propagandonin për sukseset fantome të klanit në fjalë dhe anëtarëve të tij lëmosh – marres.
Realisht kjo propagandë, ua mbushi veshët e ua mbylli sytë, jo vetëm publikut këtu por edhe këtyre ambasadave, të cilat e ndihmonin këtë kllapë të mbufatej e akomodohej në kolltukun e rehatisë së antivlerës e përfitimit.
Por kur këto ambasada dhe Zyra e Komisionit Evropian e kuptuan siç duket hilen e këtij klani, filluan të distancohen, duke mos ju dhënë më para…
“Fillimi i gjithçkaje i turbullt është, por jo dhe fundi” thotë poeti i madh libanez me famë botërore, Khalil Gibran. Prandaj edhe fundi i veprimtarisë zhvatëse të këtij klani, po duket me i qartë se kurrë…
Në gjithë këtë qartësi, po duket se shpresa e tyre e fundit ka ngelur Teatri Kombëtar i Kosovës aty ku filloj zhvatja, kurse mjeti për realizimin e kësaj shprese, si gjithnjë propaganda. Andaj edhe reagojnë të mbushur pezëm e mllef, kundër një nder aktvendimeve me të drejta që Gjykata e këtij vendi, ka marrë ndonjë herë në histori, sa i takon sferës së përmbushjes së vakumit legjislativ në vend.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, për angazhimin e aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm, përfundon epoka e ndarjes se roleve me të njofshëm, kur janë nda rolet si në bahçe të babës, dashnorja, gruaja, shoku, vëllai, motra – gruaja – vëllai i ministrit, ku duke i zhvatur paratë e këtij populli të vuajtur, janë fryrë xhepat e këtyre keqpërdoruesve dhe është rrënuar vlera interpretative skenike.
Tanimë përveç kësaj rregullore, është e nevojshme të miratohet edhe rregullorja për angazhimin e regjisorëve dhe dramaturgëve, në mënyrë që Teatri Kombëtar, t’i kthehet vlerës dhe namit që i takon, por edhe kjo sortë zhvatësish të kthehen në vendin e origjinës, përkatësisht në kontejnerin e llumit kulturor, atje ku vendin meritor e kanë.