Gjykata Kushtetuese kishte marrur vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan KosovaPost.
E tëra kjo si rezultat i marrëveshjes së fundit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS) e nënshkruar më 25 gusht të 2015 nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese sqaroi se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të themelohet ashtu siç është parashikuar në marrëveshjen e parë të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013, marrëveshje kjo që shënoi fillimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E, një presion lidhur me Asociacionin është parë këto ditë, pas vizitës së emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Gabriel Escobal dhe Mirosllov Lajçak, ku ky i fundit përmendi se Kosova nuk duhet frikësuar Asociacionit, por duhet zbatuar për atë çka është dakorduar.
Lidhur me ‘frikën’ e Qeverisë së Kosovës, nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Avokati, Tomë Gashi ka thënë për KosovaPost se Kosova nuk ka arsye të frikësohet nga Asociacioni, pasiqë sipas tij një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhë.
“Nëse veç Kosova do të vendoste që të pranonte marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova do të ishte shtet jo funksional dhe ky asociacion për Kosovën do të ishte një lloj merimange, e cila edhe ashtu funksionon me shumë problem, e, kështu do ta bënte Kosovën jo funksionale. Kështu që Kosova nuk ka arsye të frikësohet nga një gjë që kurrë nuk do të ndodhë.”, tha Gashi për KosovaPost.
Ndër të tjera, Tomë Gashi përmendi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Isa Mustafa si ‘themelues’ të Zajednicës siç e quan ai. Veç kësaj, ai shtoi se AKS(Asociacioni i komunave me shumicë serbe) nuk ka kaluar në Kuvendin e Serbisë, si i tillë ai nuk mund të implementohet fare.
“Asociacionin apo Zajednicën e ka ba Hashim Thaçi me Isa Mustafën. Ata kanë nënshkruar dy marrëveshje njëra në vitin 2013 e tjetra në vitin 2015 dhe ne kemi pasur një fat, pasiqë kjo marrëveshje është deshur që të kaloj nëpër Gjykatën Kushtetuese e cila ka gjetur 23 nene, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme që është ndalu implementimi i këtij Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Ndryshe, kjo marrëveshje nuk ka kalu fare në Kuvendin e Serbisë dhe nëse një marrëveshje, e cila reflekton në dy shtete nuk aprovohet nga Kuvendet e dy shteteve atëherë kjo nuk ka kurrëfarë vlere. Pra, nëse nuk ka kalu në Kuvendin e Serbisë nuk di se si Serbia insiston që të implementohet një statut i Zajednicës me kompetenca ekzekutive që nuk e ka aprovuar as Kuvendi i tyre, sepse nëse Kuvendi i Serbisë do ta pranonte një gjë të tillë i bie që do ta pranonte në mënyrë direkte pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Veç të tjerash, Avokati kosovar përmendi dy raste apo marrëveshje, marrëveshje këto, të cilat e kanë ‘tkurrur’ territorin e Republikës së Kosovës, ku përmendi rastin e Malit të Zi, duke thënë se Kosova ia ka dhënë mbi 8 mijë e 250 hektarë si dhe atë të Maqedonisë së Veriut, ku kësaj të fundit i ka dhënë mbi 2 mijë e 500 hektarë.
“Serbia ka nënshkru me Kosovën në Bruksel rreth 33 marrëveshje dhe Serbia insiston me vite të tëra që të implementohet vetëm një marrëveshje dhe kjo ka të bëj me Asociacioni. Serbia e din se loja është afatgjate dhe nëse do të implementohej kjo do të ishte fillimi i ndarjes së territorit të Republikës së Kosovës., vetëm në një formë tjetër, pastaj nëse serbëve ju lejohet një gjë e tillë, atëherë i bie që ne po dorëzohemi nga presioni i Serbisë dhe pse Serbia as që po e ofron njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, kështu edhe bashkësia ndërkombëtare ka ra në grackën e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës se këto janë nënshkruar më herët, por ShBA-të nuk kërkojnë që të jetë në lojë sovraniteti i Republikës së Kosovës meqenëse edhe Amerika e ka interes të vetin formimin e një shteti të Kosovës dhe e ka një pjesë të madhe dhe ka një pjesë të madhe të meritave për formimin e shtetit të Kosovës, kështu SHBA-të dhe mbi 115 shtete të tjera kur e kanë pranu pavarësinë e Kosovës e kanë pranu në kufijtë ekzistues, kufi të cilët ne vetë i kemi dëmtuar në dy raste: në rastin e marrëveshjes me Malin e Zi, ku dikush për të e mbajtur pushtetin i ka dhënë mbi 8 mijë e 250 hektarë dhe në rastin e mëhershëm ku 2 mijë e 500 hektarë tokë të Kosovës i janë falë edhe Republikës së Maqedonisë. Pra, ne e kemi tkurrur vetë territorin e Republikës së Kosovës pa na e kërku askush tjetër. Kështu SHBA-të nuk kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të nënshkruaj diçka që është e dëmshme për sovranitetin e Kosovës. “, theksoi ai për KosovaPost.
Gjatë vizitës së emisarëve ndërkombëtarë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak u shpreh se marrëveshjet që janë dakorduar duhet të zbatohen, lidhur me këtë, Gashti shtoi se Asociacioni i tillë nuk do të lejohet kurrë, ngase si i tillë nuk do të kishte kuptim lufta e Kosovës për çlirim me ndihmën e shteve mike, sidomos të SHBA-ve. E, sa iu përket deklaratave të Lajçak ai tha se ato janë deklarata për televizion dhe i konsideroi si politike.
“Absulotisht kjo nuk do të lejohet kurrë sepse nuk ka kurrëfarë lufta që është bërë në Kosovë, e cila është bërë që ne të fitojmë pavarësinë dhe të jemi shtet i pavarur dhe nuk ka kurrëfarë logjike që investimi i shteteve mike ndërkombëtare e investimi më i madh nga SHBA-të, kur është çliru Kosova, ku Serbia është bombardu 78 ditë që ne të jemi të lirë dhe nuk është leju kryerja e një gjenocidi tjetër, siç ka ndodhur në Bosnjë nga forcat okupuese serbe. Kështu, deklaratat për televizion janë krejtësisht ndryshe, por as edhe një shtet normal nuk insiston as nga një shtet tjetër normal që të heqë dorë nga sovraniteti i shtetit të vetë dhe nga humbja e territorit. Janë deklarata politike, por jo që dikush e bjen Kosovën në një situatë të tillë, që të zgjedh nëse do të pranoj një Asociacion të tillë, me kompetenca ekzekutive, ndërsa sa iu përket moduleve të tjera që përmenden në shtete tjera evropiane, me demokraci të zhvilluara, shtete që janë në BE na duhet ta dijmë mentalitetin e e Ballkanit, i cili me shumë shekuj ka qenë i përgjakur, ndërsa në shtetet evropiane këto janë tejkalu kohë më parë. “
Teksa Lajçak iu bënte presion liderëve kosovarë, përfshirë edhe Kryeminstrit, Albin Kurti, ku ky i fundit tha se Kosova nuk i frikësohet Asociacionit, por jo me kompetenca ekzekutive, Tomë Gashi u shpreh me siguri se një Asociacion të tillë nuk do ta lejojë kurrë as Lëvizja Vetëvendosje e as Albin Kurti. Ai tha se flamuri i Kosovës tregon qartë me yjet e vendosura, ku nuk lejon asnjëri të jetë më i madh apo më i vogël sesa tjetri.
“Asociacione një etnike, pra vetëm të një etnie(serbe) Albin Kurti kurrë nuk do të lejojë e as Lëvizja Vetëvendosje. Këto janë gjëra të tejkaluara, janë gjëra të mesjetës, ku dikush ta kontrolloj një territor, qoftë me emertim Asociacion, apo të çfarëdo lloj emërtimi tjetër. Ne nuk po flasim për një OJQ, por po flasim për diçka që thjeshtë e dëmton Republikën e Kosovës, territorin e Kosovës, ndërsa Asociacione në kontekste të tjera sigurisht që mund të ketë, por kjo vetëm një nacionale dhe një etnie, sepse atëherë po i bie që një Asociacion të tillë mund të kërkojnë turqit, romët, boshnjakët edhe të gjitha nacionalitetet që jetojnë në Kosovë. Ne nuk i kemi rastësisht 6 yje në flamurin e Kosovës, ai është sinonimi që të gjithë janë të barabartë, ne nuk kemi një yll më të madh apo më të vogël, të gjithë janë të barabartë, kërkush nuk mund të kërkoj diçka më shumë, për shkak se ne mundemi të kërkojmë edhe Asociacione fetare apo Asociacone që njerëzit nuk janë të njëjtë.”, përfundoi Avokati Gashi për KosovaPost.
Vlen të përmendet se edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu në takim me emisarët ndërkombëtarë bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut.