Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se ka hyrë në një fazë kritike vendimmarrjeje lidhur me luftën e vazhdueshme me Iranin, duke theksuar se do të ketë zhvillime të mëdha nëse Teherani nuk ndryshon sjelljen e tij, transmeton Anadolu.
“Pyetja ime është nëse dhe kur do ta hedh në erë të gjithë vendin… më mirë të sillen siç duhet”, tha Trump për rrjetin amerikan Fox News, duke shpjeguar qasjen e tij ndaj luftës.
Presidenti amerikan tha se opsionet që po shqyrton aktualisht janë shkatërrimi i vendit, lejimi që ai të “kalbet” ekonomikisht ose negocimi i një marrëveshjeje dhe shtoi se “gjëra shumë të mëdha do të ndodhin në një të ardhme jo shumë të largët”.
I pyetur për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila nis nesër, Trump sinjalizoi gatishmëri për angazhim diplomatik, duke theksuar se “ndoshta do të ishte i hapur” për një takim me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.
Duke folur për armiqësitë më të gjera në rajon, Trump tha se Washingtoni mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Huthit e Jemenit pas sulmeve të tyre të fundit me raketa balistike ndaj Arabisë Saudite, duke pretenduar se grupi ka rënë dakord të shmangë luftimet me forcat amerikane.


























