Uashingtoni nuk ka të drejtë të akuzojë Rusinë dhe Kinën se nuk kanë bërë asgjë për krizën globale të klimës, shkruan “Global Times”, transmeton Kosova Post.
Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden tha se Rusia dhe Kina nuk duan të marrin asnjë detyrim për këtë çështje dhe e quajti SHBA-në, kontribuuesin kryesor në suksesin e samitit të G20-ës. Gazeta kineze thekson se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përpiqen të bëjnë presion mbi vendet e tjera, por të paraqesin strategjinë e tyre për ndryshimet klimatike.
“Duke folur për Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën në këtë mënyrë, administrata Biden po minon suksesin e samitit dhe po hedh hije mbi konferencën e ndryshimeve klimatike në Glasgow. Uashingtoni nuk mund të jetë lider për ndryshimet klimatike”, thuhet në artikull.
Sipas autorëve, deklarata amerikane ndryshon dukshëm nga veprimet e tyre. Ata nuk kanë një plan të qartë për të reduktuar emetimet e gazeve serrë në vend. Është gjithashtu e pasigurt nëse republikanët do të anulojnë të gjitha veprimet e administratës aktuale në rast të rikthimit në pushtet.
“Si mundet Biden dhe administrata e tij të udhëheqin mbarë botën në luftën kundër ngrohjes globale, nëse ai nuk mund të jetë lider i vendit të tij?”, theksojnë autorët.
Sipas gazetës kineze, Shtetet e Bashkuara duan vetëm të jenë lider në agjendën e klimës, ndërkohë që nuk janë të interesuara për t’i zgjidhur problemet drejtpërdrejt.
“Global Times” tërhoqi vëmendjen edhe për sjelljen e Australisë, e cila, si një nga eksportuesit kryesorë të qymyrit në botë, vetëm në minutën e fundit mbështeti vendimet e samitit të klimës, shkruan sputnik.“Ndoshta, në vend të akuzave kundër Kinës dhe Rusisë, Biden duhet të bëjë presion ndaj ‘vëllait të vogël’ amerikan?”, përfundojnë autorët.sh.o./Kosova Post/