Njëqindetridhjetë të burgosur lufte ukrainas janë liruar dhe janë kthyer në shtëpi në një “shkëmbim të madh të Pashkëve”.
Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë presidencial ukrainas të dielën, ditën e Pashkëve Ortodokse.
Forcat ukrainase dhe ruse kanë bërë shkëmbime të rregullta të të burgosurve që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, tashmë në muajin e 14-të.
“Ne po kthejmë 130 nga njerëzit tanë. Ai (shkëmbim) ka ndodhur në disa faza gjatë ditëve të fundit”, ka theksuar shefi i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nuk ishte e qartë se sa rusë u kthyen në drejtim të kundërt.
Yermak tha se ata që u kthyen në shtëpi përfshinin ushtarakë, roje kufitare, anëtarë të gardës kombëtare, marinarë dhe punonjës të rojës shtetërore të kufirit.