Është shqiptari i parë i cili zgjidhet si përfaqësues i demokratëve në legjislaturën e re, në kuantin Weschester, në SHBA.
Avokati shqiptaro amerikan, Vedat Gashi, këtë mandat e fitoi për herë të dytë, por vazhdon të mbetet i vetmi i emëruar në këtë pozitë, në një rajon në të cilin jetojnë rreth një milion banorë.
Gashi për Klan Kosova ka thënë se gara ishte e vështirë.
“Para dy vjetësh, unë u zgjodha në legjislaturën e Kauntit të Weschesterit dhe u bëra shqiptaro-amerikani i parë që u zgjodha atëherë, po ashtu edhe tani jam shqiptaro-amerikani i parë që po rizgjedhem”.
“Ishte një garë e vështirë, sepse patëm kundërshtarë të fort dhe shumë njerëz nga partia ime humbën në garën lokale”.
“Unë isha i ngazëllyer për fitoren, kjo besoj se u arrit pasi punuam shumë, bëmë një fushatë të mirë, punuam çdo ditë dhe u munduam të bisedojmë me votuesit për t’u treguar për planet tona dhe besoj se këtë e kuptuan votuesit, duke arritur kështu një fitore goxha të mirë”.
Gashi është shprehur se ka dëshirë që të ketë më shumë shqiptaro amerikan të përfshirë në politikë.
“Po e filloj duke thënë se shqiptarët janë pjesë e komunitetit, dhe si çdo pjesëtarë tjetër i komunitetit edhe ne interesohemi për shkollat tona, taksat tona, sigurinë publike, mjedisin tonë”.
“Këto janë gjëra që ndikojnë në jetët e krejt neve”.
“Mendoj që një vështirësi që ka komuniteti ynë është se edhe pse numri i shqiptarëve këtu po rritet ata nuk regjistrohen dhe nuk votojnë”.
“Është një vështirësi dhe mund të them edhe një zhgënjim për mua në njëfarë mënyrë, andaj do të doja që kjo gjë të përmirësohej. Ne do të donim të shihnim më shumë përfshirje të shqiptaro amerikanëve sepse ata janë një forcë, dhe mund të jenë forcë më e madhe”, ka deklaruar Gashi.
Bashkëpunimin me Këshillin Demokratik Shqiptaro-Amerikan, Gashi është shprehur se do ta vazhdoj “absolutisht”.
“Unë jam edhe anëtar i kësaj organizate, por kam punuar edhe me organizata tjera poashtu”.
“Pasi u bëra shqiptaro-amerikani i parë që u zgjodha, ne bëmë nëntorin muajin e trashëgimisë shqiptaro-amerikane dhe me këtë rast ne festojmë disa të arritura në komunitetin tonë, dhe dy prej sukseseve që po festojmë këtë vit janë Albana Krasniqi dhe Rifat Latifi. Ata janë banorë fantastikë të Weschesterit por edhe njerëz me impakt në krejt botën, poashtu në Kosovë dhe Shqipëri”.
“Ne punojmë bashkë edhe me shumë organizata tjera dhe dëshirojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
Ai ka folur për punët që do të bëjë për amerikanët, duke filluar nga investimet në infrastrukturë, mbrojtja e ambientit, rrugët dhe gjëra të tjera që në fakt ndikojnë në jetët e njerëzve.
“Legjislatura ka buxhet diku rreth 2.8 milionë dollar dhe kjo është një shumë goxha e mirë”.
“Ne në Weschester kemi taksa të larta, dhe ulja e tyre është një gjë e rëndësishme për mua dhe komunitetin tonë. Por në të njëjtën kohë kemi shërbime të ndryshme. Na duhen investime në infrastrukturë, mbrojtja e ambientit, rrugët tona dhe gjëra të tjera që në fakt ndikojnë në jetët e njerëzve”.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Gashi ka falënderuar të gjithë votuesit për mbështetjen e dhënë edhe përmes mesazheve, emailave, porosive me zë e në rrjete sociale.
“Unë do të kthej çdo mesazh”, ka shkruar Gashi në facebook, por së pari wshtë zotuar se do të bëj një punë tjetër.
Ai ka thënë se fillimisht do të heq të gjitha banerët e posterët e fushatës së tij zgjedhore nga hapësirat publike dhe ka lutur qytetarët që nëse i shohin diku, t’i heqin dhe ti hedhin./Albanianpost.com