Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë Agim Veliu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se do ua mbyllë derën e LDK-së, atyre që nuk kanë çka me i dhanë partisë më.
Për më tepër Veliu, ka kërkuar nga Abdixhiku të marrë përgjegjësi për humbjen në Podujevë, e jo të mbyllë dyert kuadrove 30 vjeçare të LDK-së.
“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”.
Veliu, vazhdon me kritika ndaj Abdixhikut, ndërsa e quan të vogël e autokrat i katapultuar.
“Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare”, ka shkruar Veliu në Facebook.