Që nga dita e zyrtarizimit të Ekrem Hysenit si Kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, kanë nisur përplasjet nëpër rrjete sociale dhe studio televizive, ndërmjet të sapo emëruarit në krye të Degës së LDK-së në Podujevë si dhe ish-kryetarit të kësaj Dege, akutalisht Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, shkruan KosovaPost.
Pas një reagimi në rrjetin social, Facebook nga Veliu, KosovaPost e ka kontaktuar deputetin, Agim Veliu, i cili ka thënë për KosovaPost se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me Ekrem Hysenin e kanë orkestruar marrjen e Degës së Podujevës, në krye me Ekrem Hysenin.
“Lumir Abdixhiku ka bërë një gabim shumë të madh, kjo nuk lidhet vetëm me Ekrem Hysenin si emër, pasi unë nuk kam kurgja personale me ta, por problemi është që Ekrem Hyseni nuk është as delegat i Lidhjes Demokratike, mundeni me e pa në listë të 101 delegatëve dhe emri i tij as që figuron në listë. Prandaj, nuk mund të jetë kryetar Dege një person i cili nuk është as anëtar i kryesisë e delegat”, theksoi ai për KosovaPost.
Tutje ai përmendi se kreu i LDK-së ka mundur që pres të pakten për 1 javë që të përfundoj procesin zgjedhor, por sipas Veliut ai nuk deshti asesi një gjë të tillë, ndonëse kjo sipas Veliut është në kundërshtim me normat statutore të partisë së LDK-së.
“Këta as nuk kanë pritë një javë siç duhet në proceset zgjedhore demokratike brenda partisë, këtë e kanë bërë në mënyrë arbitrare dhe për këtë iu kam dërgu disa kërkesa, për të cilat asnjëherë nuk kam marrur përgjigjje.
“Po iu bëj vetëm një krahasim, LDK-ja as në vitet e 90-ta, kur e mbajti kuvendin e parë zgjedhor në Podujevë, më vitin 1990 në tetor nuk e kishte bërë një veprim të tillë. Ju e dini shumë mirë, ishim në kohë okupimi dhe zgjedhjet brenda kishin zgjatur 10 orë, sot nuk mund ta kuptoj një gjë të tillë për besë, jemi kohën e pas luftës dhe bëhen procese të tilla jo demokratike. Kjo nuk duhet të tolerohet asesi nga aktivistët e LDK-së, u shpreh Veliu për KosovaPost.
Vlen të theksohet se Agim Veliu përmendi se nuk ka qenë kurrë i interesuar që të i hyjë një gare, ngase ka qenë e kundërligjshme.