Sot në 15 vjetorin e rënjes së dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, Kryeministri Kurti, bëri homazhe dhe vuri kurora lulesh në nderim të tyre, tek pllaka përkujtimore në bulevardin “Nënë Tereza”, transmeton Kosova Post
Me këtë rast, kryeministri Kurti, kujtoi protestatën e 10 shkurtit 2007, kujtoi deklaratën e kësaj date të Bacit Adem (Adem Demaçi) ndërsa citoi: “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.
Duke folur tutje përprotestën e 17 viteve më parë, ndërlidhur me deklaratën e Demaçit, Kurti tha se e vërtet se kjo është rruga e jonë, e atyre që jetuan, nderuan dhe mbrojtën Kosovën me gjakun, djersën, vitet, shpirtin dhe rinin e tyre.
‘Rruga jonë është e drejtë. Prishtina e ka këtë shesh e këtë rrugë vendin e protestave të të gjitha kohërave, është sheshi i saj historik. Edhe atë dhjetë shkurt për të disatën herë ne shpallëm testamentin që gjithkush ia shpall vetvetes, testamentin e Vetëvendosjes”, tha Kurti, duke shtuar se atë kohë thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë.
“Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se drejtësia kur vjen nga jashtë, ajo thjeshtë është polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuan decentralizimin etnik dhe eksteriotorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit”, u shpreh Kurti.
Ai vazhdoi me historikun e sheshit siç tha Kurti sheshi historik, ndërsa shtoi se, shqiptarët e çdo brezi janë takuar në këtë shesh me historinë dhe se shqiptarët e çdo brezi do të vijnë në këtë shesh e do të përkujtojnë të rënët për liri e drejtësi.
Kurti kujtoi kështu demonstratat për liri të vitit 1968, 1981, 1989, 90’, 91’, . edhe të vitit 2007,ndërsa theksoi se të gjitha ato demonstrata e protesta ishin për të mbërritur në të tashmen tonë.
“Me këtë dëshirë dhe vullnet ne dolëm atë të shtunë 10 shkurt 2007, dhe po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh dhe policia arbitrare e UNMIK-ut na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim pa demokraci. Ne ishim qytetarët e dorës së dytë dhe për qytetarët e dorës së dytë nuk ka Kuvend, por polici, nuk ka gjykim, por hetim. Mijëra ishim bashkë në shesh atë ditë, dhe me mijëra të tjerë në vartrat tona në shpirtin e Republikës. Baca Adem me 28 vitet e burgut mbi shpinë, deklaronte drejtësinë para 28 vjeçarit Mon Balaj, ndërsa Arben Xheladinit po i mbusheshin po aq vite prej pjekjes së parë në protesta, prej atëherë kur ai shpinte bukën në barrikadat e studentëve në vitin 1981. Kështu është thurur gjithnjë historia jonë, vitet e burgut të dikujt përcaktojnë moshën e pjekurimit dhe përjetësimit të dikujt tjetër”, deklaroi Kurti
Lideri i Vetëvendosjes, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi se ëndrrën të gjithë dëshmorëve e liridashësve, sikur edhe të Monit e Xheladinit do ta përjetësojmë me ndërtimin e shtetit të zhvilluar ekonomikisht të barabartë, pa korrupsion e shtet të së drejtës.
Kujtojmë se Moni e Arbeni u vranë në protestën paqësore të 10 shkurtit 2007. Mbi 80 u plagosën, ndër ta me pasoja për gjithë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova dhe Hysni Hyseni i cili ndërroi jetë para dy vitesh.
Ajo protestë dhe sakrifica e Monit e Arbenit, shtroi rrugën ku gjithkush mund të ecë drejt gjithmonë. Veç a ke vullnet, forcë e ndershmëri. Duke kujtuar me respekt ata që ecën drejt edhe përballë plumbave, është më e lehtë sot të ecësh drejt përballë atyre që në vend të plumbave përdorin fjalët e shpifjet.