Deputeti i vetëm i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ka bërë të ditur se është i gatshëm të japë nënshkrimin e tij për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të 16 shtatorit nga Gjykata Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Berisha, i cili në Kuvend përfaqëson komunitetin egjiptian të Kosovës, u ka bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin këtë iniciativë, duke theksuar se për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nevojiten së paku 40 nënshkrime të deputetëve.
“Si deputet i vetëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Partia Liberale Egjiptiane-PLE, si përfaqësues i komunitetit egjiptian të Kosovës jam i gatshëm ta jap mbështetjen time dhe nënshkrimin tim për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka kërkuar që Kuvendi të diskutojë në mënyrë institucionale për situatën aktuale, duke thënë se në këtë periudhë nevojitet, sipas tij, unifikim politik dhe institucional.
Berisha ka propozuar gjithashtu që pas seancës të synohet miratimi i një rezolute të përbashkët, përmes së cilës do të shprehej qëndrimi dhe mbështetja për procesin e mëtejshëm gjyqësor.
Sipas tij, në këtë rezolutë mund të përfshihej edhe pritshmëria që Gjykata e Apelit ta rishqyrtojë vendimin e 16 shtatorit, në përputhje me procedurat dhe standardet ligjore.
“Po ashtu, Kuvendi mund të shqyrtojë edhe veprime të tjera të mundshme, kushtetuese dhe ligjore, që janë në kompetencën e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha ka përsëritur gatishmërinë për ta dhënë nënshkrimin për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke e përmbyllur me mesazhin: “Jo në emrin tim!”

























