Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se do t’iu skadojë afati mbi 12 mijë dozave të vaksinave AstraZeneca më 31 korrik të këtij viti.
Ai në një konferencë për media pasi e mori këtë lloj vaksine ka ftuar edhe qytetarët të marrin kët vaksinë dhe të mos hezitojnë.
“Edhe sot vaksinën që e mora ishte AstraZeneca e mora vaksinën që e ka afatin e skadimit më të shkurtë, 12 mijë dozave të vaksinave që kanë ardhur nga Norvegjia iu del afati më 31 korrik. Ndërsa, pjesës tjetër i del më 31 gusht”, ka thënë Vitia.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kishte deklaruar se këtyre vaksinave u ka kaluar afati.
“Dikush nga Qeveria e Kosovës duhet të përgjigjet për donacionin e vaksinave AstraZeneca të pranuara sot nga Norvegjia. Sa prej këtyre vaksinave AstraZeneca të pranuara donacion nga Norvegjia ju ka skaduar afati i përdorimit me datë 30 Qershor 2021 dhe sa prej tyre iu skadon me 30 Korrik 2021. Prej këtyre vaksinave 52,800 doza afatin e skadimit e kanë pasur me datë 30 Qershor 2021, ndërsa pjesa tjetër afatin e skadimit e kanë me 30 korrik 2021”, ka thënë Haxhiu.