Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi nuk do të jetë prioriteti numër një i Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Por, ajo thotë se do të jetë në fokus të Qeverisë dhe se ky proces duhet të përfundohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues.
“Për një kohë të gjatë, problemet ditore dhe më akute të qytetarëve të Kosovës janë lënë anash, ndërsa liderët e kaluar të Kosovës janë fshehur prapa temës së dialogut duke i maskuar dështimet brenda vendit. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi e punë, dhe është detyrë e jona t’u ofrojmë këtë. Dialogu me Serbinë, sigurisht, po ashtu do të jetë fokusi ynë dhe do të sigurohemi që shteti ynë të tregojë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm. Procesi duhet të konkludohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Faces of Democracy”.