Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do t’i kërkojë presidentit rus Vladimir Putin një çmim super të favorshëm për gazin dhe një rezultat i favorshëm do të ishte shumë i dobishëm për Vuçiqin dhe partinë e tij në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, shkruan e përditshmja e Moskës Kommersant, transmeton Kosova Post.
“Ata presin një çmim shumë të favorshëm për gazin rus nga negociatat në Soçi në Serbi”, thekson gazeta burime të paidentifikuara në udhëheqjen serbe.
E përditshmja shkruan se burime të informuara nga Beogradi besojnë se presidenti i Serbisë ka mundur të marrë konfirmimin nga pala ruse për çmimin e favorshëm të gazit para vizitës dhe se ai tani “ka ndërmend ta paraqesë si sukses të tij”.
Në të vërtetë, Vuçiq u takua në Beograd në tetor me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov dhe zëvendëskryeministrin rus Yuri Borisov, i cili është bashkëkryetar i komisionit ndërqeveritar ruso-serb. Pas takimit me presidentin serb, Borisov premtoi se Rusia do ta dërgojë gazin në Serbi me çmime të favorshme, pavarësisht nga kriza energjetike në Evropë, kujton gazeta.
“Një ‘dhuratë gazi’ nga Rusia do të ishte shumë e mirëpritur për Vuçiqin. “Në pranverë në Serbi do të mbahen njëkohësisht zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat presidenti aktual po llogarit jo vetëm në rizgjedhjen, por edhe në fitoren bindëse të Partisë së tij Progresive Serbe”, vlerëson Kommersant.
Gazeta shton se për këtë do të kontribuojë edhe imazhi i liderit që mori “çmimin më të ulët të gazit në të gjithë Evropën” nga Rusia, shkruan danas. Kommersant shkruan gjithashtu se opozita serbe tashmë po e akuzon Vuçiqin se duhet të paguajë çmimin e gazit përmes koncesioneve politike.
Përveç gazit, në Soçi do të diskutohen edhe çështje politike, në radhë të parë për situatën në Kosovë dhe në tërë Ballkanin. Dhe këtu, qasjet serbe dhe ruse nuk përkojnë plotësisht, edhe pse Vuçiq rregullisht falënderon Moskën për mbështetjen e tij, shkruan Kommersant. Gazeta shton se pas takimit në Soçi, presidenti i Serbisë do të marrë pjesë në samitin e demokracisë të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe në të cilin Rusia nuk ishte e ftuar.sh.o./Kosova Post/