Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të dielën se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak, siç ka thënë të maltretimit të serbëve nga autoritet e Kosovës.
Gjatë një deklarimi për media në Beograd, Vuçiq tha se Serbia ka angazhuar ekspertë nga sektori i ndërtimtarisë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
“Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha ai.
Vuçiq e paraqiti këtë si një nga masat që Serbia mund të shqyrtojë në rrethanat e krijuara, duke deklaruar se Beogradi është “shtet sovran” dhe se vepron në përputhje me interesat e tij.
Deklarata e Vuçiqit vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë rrënuar objektet pa leje përreth liqenit të Ujmanit.
Një ide të tillë Vuçiqi e kishte paralajmëruar edhe para dy vjetësh teksa po e mohonte përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Varagë të Zubin-Potokut.
Vuçiq ka thënë se “që nga viti 1985 ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit”. E një veprim i tillë do ta thante liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet Kosova./rtk


























