Ish-ambasadori i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker thotë se Serbia ka investuar shumë në propagandën për ta mohuar masakrën e Reçakut, e cila ishte kryer nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
Walker në një intervistë për The Geopost thekson se presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq ishte në zinxhirin komandues të Sllobodan Millosheviqit, të cilët kishin dhënë urdhër për kryerjen e kësaj masakre më 15 janar 1999.
“Që nga fillimi Serbia ka thënë se kjo ngjarje nuk është e vërtetë. Ata kishin shumë arsyetime, se unë jam agjent i CIA-së me mbulesë ndërkombëtare nga OSBE-ja, se jam dërguar këtu nga CIA apo nga Departamenti i Shtetit ose nga Shtëpia e Bardhë për të shkatërruar disi Serbinë dhe se unë isha i gatshëm të them çdo gënjeshtër për të shkatërruar atë”, thekson ish-ambasadori OSBE-së.
“Kur e di që ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit ishte një zotëri i quajtur Aleksandar Vuçiq dhe se ai po përhapte të gjitha këto gjëra qesharake për mua dhe për çfarë kam ardhur në Kosovë, e kuptoj pse ai ende e përdor temën e masakrës së Reçakut dhe çfarë ishte versioni serb i asaj që ndodhi”, shton Walker.
Po ashtu, ai pohon se histori të tilla të mohimit vazhdimisht dilnin nga Beogradi kur Vuçiqi ishte ministër i Propagandë, duke përmendur rastin Panda që kishte ndodhur në Pejë.
“Nëse flasim për vrasjet në lokalin Panda në Pejë, ka një lidhje mes historive që dilnin nga Beogradi kur Vuçiq ishte ministër i Informacionit, nëse doni, janë shumë konsistente, deri më sot, flasin për Reçakun sikurse nuk ndodhi ose Walker e shtrembëroi atë ose Walker po e përdorte atë për të shkatërruar disi Serbinë”, pohon ai.
Sipas Walkerit, propaganda e Vuçiqit duhet të kuptohet në të gjithë kryeqendrat evropiane, kur bëhet fjalë për masakrën e Reçakut.
“Unë mendoj se të gjithë në kryeqytetet e Evropës që kanë njohuri për Vuçiqin dhe propagandën serbe e kuptojnë, shumë nga njerëzit që janë tani në ministritë e Jashtme të pjesës tjetër të Evropës ishin shumë të rinj për të ditur për Reçakun në atë kohë, por Vuçiq dhe çfarë ai bën me informacione, dezinformata mendoj se kuptohet në të gjitha kryeqytetet e Evropës”, thotë Walker.
Për ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, presidenti serb Vuçiq ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Millosheviqit, në kohën kur kishte ndodhur masakra e Reçakut.
“Shumica dërrmuese e krimeve të luftës që janë kryer këtu janë kryer nga trupat serbe, policia serbe, ushtria serbe dhe njësitë speciale serbe. Vuçiq ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Millosheviqit, kur do të kenë një Gjykatë Speciale për ta, ky ishte një zinxhir i vërtetë komandues. Shikoni se çfarë bëri ushtria serbe, policia serbe, njerëzit që ishin nën komandën e Millosheviqit dhe Vuçiqit”, shprehet ai.
Walker thotë se Rusia vazhdon të jetë mbështetëse e Serbisë dhe, sipas tij, nëse vendet e Ballkanit do të qetësohen atëherë duhet të reduktohet ndikimi rus në këtë rajon.
“Nëse Ballkani do të qetësohet ndonjëherë, do të kërkojë që ndikimi rus në zonë të zvogëlohet. Rusia është ende mbështetëse e fortë e Serbisë, pavarësisht nga pozicioni i Serbisë. Unë e kuptoj se në negociata Serbia mund të jetë shumë e ashpër për disa çështje, mendoj se kjo buron me Moskën, mendoj se pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar duhet të ulet pak më ashpër ndaj Serbisë nëse duan të jenë pjesë e botës moderne. Nëse duan që Evropa të jetoj në paqe, Moska duhet të zmbrapset. Nuk e shoh që po ndodh tani me procesin e negociatave këtu, çfarë po ndodh në Ukrainë, është e qartë se Rusia, veçanërisht nën Vladimir Putinin, por e kuptoj nëse ai bie, njerëzit që mund të vijnë më pas mund të jenë nacionalistë edhe më të keq”, përfundon Walker.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për gjykimit e padrejtë të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Intervista e plotë:
Serbia ka investuar shumë në propagandë, veçmas për masakrën e Reçakut, ku ndër viktimat jeni edhe ju? Sa është i rëndësishëm prezantimi i asaj që ka ndodhur, dhe i të kundërtës – asaj që thotë Serbia?
Epo, po përpiqem të shkruaj një libër për ngjarjen e Reçakut dhe atë që ndodhi menjëherë pas, fushata e bombardimeve të NATO-s, çlirimi i Kosovës, kthimi i refugjatëve dhe besoj se shumë nga ajo që ndodhi më pas, duke përfshirë krijimin e një kombi të ri këtu, të quajtur Kosovë, në një farë mënyre filloi me masakrën e Reçakut.
Sigurisht që nga fillimi Serbia ka thënë se kjo ngjarje nuk është e vërtetë. Ata kishin shumë arsyetime, se unë jam agjent i CIA-së me mbulesë ndërkombëtare nga OSBE-ja, se jam dërguar këtu nga CIA apo nga Departamenti i Shtetit ose nga Shtëpia e Bardhë për të shkatërruar disi Serbinë dhe se unë isha i gatshëm të them çdo gënjeshtër për të shkatërruar atë.
Gjëja e parë që duhet thënë është se unë vërtetë nuk kam qenë në të CIA, nuk jam dërguar për të shkatërruar Serbinë, kam pasur më parë marrëdhënie mjaft të mira me këtë vend, kur isha në Kroaci për Kombet e Bashkuara, duke drejtuar misionin atje.
Mendoj se arsyeja pse presidenti Sllobodan Millosheviq pranoi ardhjen time në Kosovë, ishte sepse ai mendonte se isha mik i serbëve, se unë kam bërë gjëra për serbët në Sllavoninë Lindore për t’i mbrojtur ata nga kroatët. Në Kroaci u përpoqa t’i ndihmoja të dyja palët, doja që të pajtoheshin pas një lufte shumë të egër.
Këtu erdha krejtësisht neutral dhe siç u zhvilluan gjërat, jo vetëm unë, por pothuajse çdo pjesëtar i misionit e pamë që popullsia shqiptare po trajtohej shumë keq nga një qeveri që i pretendonte si qytetarë të tyre, por i trajtonte jo sikurse qytetarët tjerë.
Kur e di që ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit ishte një zotëri i quajtur Aleksandar Vuçiq dhe se ai po përhapte të gjitha këto gjëra qesharake për mua dhe për çfarë kam ardhur në Kosovë, e kuptoj pse ai ende e përdor temën e masakrës së Reçakut dhe çfarë ishte versioni serb i asaj që ndodhi.
Ai vazhdon ta mbrojë atë, ai vazhdon të më sulmojë, kjo nuk më shqetëson, mendoj se shumica e njerëzve racionalë e kuptojnë se provat ishin dërrmuese se 45 fshatarë, burra, djem, përfshirë një burrë 99-vjeç, përfshirë një të ri, adoleshentët u nxorën jashtë, u morën nën armë dhe u ekzekutuan në mes të natës. Kjo është ajo që pashë të nesërmen në mëngjes, kjo është ajo që mendova se isha këtu për t’i treguar botës se çfarë po ndodhte këtu, pashë se çfarë ndodhi në Reçak dhe thjesht i tregova botës.
Por thashë edhe diçka që Vuçiq e harron që thashë, shikoni nëse dikush nuk pajtohet me mua, sillni hetues ndërkombëtarë. Bëjini autopsitë e kufomave, përcaktoni se çfarë i vrau, çfarë lloj armësh u përdorën për t’i vrarë ata dhe natyrisht qeveria në Beograd, gjykatësja Danica Marinkoviq nga Nishi, ata morën kontrollin e trupave, ata bënë autopsi në disa prej tyre shumë përpara ndërkombëtarëve. U fut ekipi mjeko-ligjor me mjeken Helena Renta.
Dhe siç thashë, ata vazhduan të ndryshonin interpretimin e tyre, historinë e tyre se çfarë kishte ndodhur, nëse nuk do isha me CIA-në, shkova atje në mes të natës, ua ndërrova të gjitha rrobat, i qëllova vetë kufomat. Dhe sot e kësaj dite ata po i qëndrojnë asaj historie talljeje dhe kam frikë se Vuçiq nuk dëshiron të korrigjojë veten.