Një raport në Wall Street Journal që thoshte se Pekini planifikonte të krijonte një bazë spiunazhi në Kubë është hedhur poshtë nga burime të shumta qeveritare në Karaibe dhe Shtetet e Bashkuara.
Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të njohur me “inteligjencën shumë të klasifikuar”, në artikull thuhet se baza e propozuar do t’i lejonte Kinës të kryente “inteligjencë sinjalesh”, një lloj spiunazhi që do ta lejonte atë të përgjonte e-mailet, thirrjet telefonike dhe të dhëna të tjera nga SHBA-ja.
Gazeta tha se marrëveshja ishte arritur në parim me Pekinin që pranoi t’i paguante Kubës “disa miliardë dollarë” për të ndërtuar objektin.
“Ne e kemi parë raportin. Nuk është e saktë”, tha Kirby për agjencinë e lajmeve Reuters pa elaboruar se cili aspekt i raportit ishte i pasaktë.
Patrick Ryder, Gjeneral brigade, dhe njëherësh një zëdhënës i departamentit të mbrojtjes amerikane, tha: “Ne nuk jemi të vetëdijshëm që Kina dhe Kuba po zhvillojnë një lloj të ri stacioni spiunazhi”.
Në Havana, zëvendësministri i Jashtëm kuban, Carlos Fernandez de Cossio i hodhi poshtë pretendimet në artikull duke i quajtur si “krejtësisht të rrema dhe të pabaza”, duke e quajtur atë një trillim të SHBA-së që synon të justifikojë embargon ekonomike prej dekadash të Washingtonit kundër ishullit.
Ai tha se ishulli refuzoi të gjithë praninë ushtarake të huaj në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Ndërkaq, një zëdhënës i ambasadës kineze në Washington tha se nuk janë në dijeni për rastin.