Ushtria izraelite ka vrarë 262 gazetarë palestinezë dhe ka plagosur 433 të tjerë që nga fillimi i ofensivës së saj në Rripin e Gazës në vitin 2023, njoftoi të shtunën Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës, transmeton Anadolu.
Gazetarët palestinezë, veçanërisht ata në Gaza, i janë nënshtruar “fushatës më të keqe dhe më të tmerrshme të shënjestrimit, vrasjeve dhe shkatërrimit sistematik të njohur në historinë moderne”, tha zyra në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Gazetarët Palestinezë.
Mes gazetarëve të vrarë ishin 26 gra, ndërsa forcat izraelite kanë arrestuar gjithashtu 50 gazetarë dhe punonjës të mediave që nga fillimi i luftës, prej të cilëve 23 vazhdojnë të mbahen në paraburgim në “kushte të tmerrshme”, tha zyra.
Humbjet e shkaktuara sektorit të mediave tejkalojnë 800 milionë dollarë, thuhet në deklaratë.
Izraeli ka shkatërruar plotësisht ose pjesërisht 12 zyra të mediave të shkruara, 23 zyra të mediave digjitale, 12 radio lokale, 16 kanale televizive dhe satelitore, 27 shtypshkronja dhe zyrat e pesë organizatave për lirinë e shtypit, thuhet në deklaratë.
Zyra i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, OKB-së, Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Federatës së Gazetarëve Arabë të ndërhyjnë menjëherë dhe urgjentisht për të siguruar mbrojtje ligjore dhe në terren për gazetarët palestinezë.
Që nga tetori 2023, Izraeli ka vazhduar luftën në Gaza, e cila ka vrarë afro 74.000 persona dhe ka plagosur rreth 175.000 të tjerë, ndërsa ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në 90 për qind të infrastrukturës civile.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, Izraeli vazhdon të kryejë sulme ajrore dhe të hapë zjarr në enklavë, duke vrarë 1.408 palestinezë dhe plagosur 4.916 të tjerë, përfshirë gazetarë.


























