Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në takim është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe nevojën për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit të mbetur.
Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, njofton zyra për informim e Presidencës.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar gjithashtu nevojën që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, duke kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të von der Leyen në këtë proces.
Haxhiu ka bërë të ditur se me Presidenten e Komisionit Evropian ka diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që e presin Kosovën.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë Haxhiu.


























