Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili synon të forcojë kapacitetet institucionale për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.
Kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij projektligji synohet të rritet siguria e qytetarëve, të përshpejtohet ofrimi i ndihmës dhe të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
“Me këtë projektligj synojmë që qytetarët të kenë mbrojtje më të mirë dhe ndihmë më të shpejtë përballë fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe financimit të agjencisë do të krijojë kushte për përgatitje më të mirë dhe koordinim më efikas të strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes në të gjithë vendin.
“Sepse në emergjenca çdo vonesë mund të ketë pasoja të pakthyeshme”, u shpreh Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit me kohë në situata emergjente.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se projektligji përcakton bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, si agjenci ekzekutive në kuadër të kësaj ministrie.
Sipas tij, me këtë nismë synohet të qartësohen kompetencat institucionale në menaxhimin e emergjencave dhe të forcohen mekanizmat për vlerësimin dhe zvogëlimin e rreziqeve.
Projektligji parasheh masa për planifikimin e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, organizimin e sistemeve të monitorimit dhe paralajmërimit, si dhe hartimin e planit kombëtar të reagimit emergjent në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Sveçla veçoi edhe përgatitjen e strukturave të mbrojtjes dhe shpëtimit, organizimin e ushtrimeve, vlerësimin e gatishmërisë kombëtare dhe krijimin e mirëmbajtjen e rezervave materiale për situata emergjente.
“Miratimi i këtij projektligji synon të sigurojë një bazë të qartë ligjore për ushtrimin e përgjegjësive të agjencisë, të përmirësojë koordinimin ndërmjet strukturave përkatëse dhe të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave”, tha Sveçla.
Me këtë projektligj, institucionet synojnë të krijojnë një sistem më të organizuar të menaxhimit të emergjencave, me përgjegjësi më të qarta dhe koordinim më të mirë, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve.


























