Abazoviq merret në pyetje për dhënien e shtetësisë biznesmenit nga Kosova

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ish-ministri i Brendshëm, Filip Axhiq, janë marrë në pyetje nga Departamenti Special Policor (SPO), në kuadër të hetimeve për dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit kosovar Naser Ramaj.

 

Sipas raportimeve, te gazetës “Vijesti” të dy kanë dhënë deklarata në cilësinë e qytetarëve, duke sqaruar procedurat dhe dokumentacionin mbi bazën e të cilit Ramajt iu miratua shtetësia malazeze në tetor të vitit 2023, pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së 43-të.

Abazoviq ka konfirmuar se është përgjigjur në pyetjet e hetuesve, por pa dhënë detaje shtesë, ndërsa Axhiq nuk ka komentuar publikisht.

Prokuroria Speciale dhe SPO po zhvillojnë hetime për të verifikuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi shtetësia e nderit iu dha Ramajt në bazë të të drejtës diskrecionale. Vendimit i paraprinë opinione pozitive nga Ministria e Financave dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, si dhe propozimi i atëhershëm i kryeministrit që Ramaj të regjistrohej si shtetas i Malit të Zi, duke u arsyetuar me investimet e tij në projektin “Porto Budva”.

Megjithatë, si raporton kjo gazetë, më vonë dolën në pah probleme serioze financiare, përfshirë borxhe tatimore të kompanive të lidhura me Ramajn dhe akuza për shmangie tatimore në vlerë mbi 2 milionë euro. Për këtë çështje, ndaj tij është ngritur aktakuzë dhe procesi gjyqësor është ende në zhvillim në Mal të Zi.

Rasti ka nxitur reagime edhe nga kryeministri aktual, Milojko Spajiq, i cili ka kërkuar nisjen urgjente të procedurave për heqjen e shtetësisë së Ramajt, duke theksuar se ajo mund të jetë fituar mbi bazë të të dhënave të pasakta dhe në kundërshtim me interesat shtetërore.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish