Sulmi terrorist në Banjskë mbetet një nga rastet më serioze të viteve të fundit, ndërsa Serbia vazhdon të refuzojë pranimin e përgjegjësisë dhe ekstradimin e Milan Radojçiqit dhe grupit të tij te drejtësia kosovare, ka thënë organizata “Albanians for America”, në reagimin për prezantimin në Senatin amerikan të SERBIA Act.
Albanians for America mirëpret prezantimin në Senatin e Shteteve të Bashkuara të SRBIJA Act nga senatorët Chuck Grassley dhe Richard Blumenthal, pas mbështetjes bipartizane që kjo nismë ka marrë tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Fakti që kjo nismë po merr mbështetje në të dy dhomat e Kongresit tregon se në Washington është rritur vëmendja ndaj zhvillimeve politike në Serbi, veçanërisht ndaj cenimit të standardeve demokratike, presionit ndaj mediave, manipulimit të institucioneve dhe pengimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Për Albanians for America, është e rëndësishme që politika amerikane të marrë parasysh edhe sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës dhe veprimet që kanë cenuar drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë në rajon. Agresioni në Banjskë për të cilin kryeterroristi Milan Radojçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen, mbetet një nga rastet më serioze të viteve të fundit. Pavarësisht kësaj, Serbia vazhdon të refuzojë pranimin e përgjegjësisë sikurse edhe ekstradimin te drejtësia kosovare të kryeterroristit Radojçiq dhe grupit të tij”, thuhet në njoftim të AFA-s.
Po ashtu, sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Ibër-Lepenc tregoi se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës nuk janë vetëm retorike, por mund të marrin formën e sulmeve konkrete ndaj infrastrukturës dhe stabilitetit të vendit.
Prandaj, pranimi i realitetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe angazhimi i Serbisë për të mos ndërmarrë veprime që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës duhet të jenë pjesë e një qasjeje të qëndrueshme amerikane ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Po aq shqetësues është orientimi gjithnjë e më i theksuar i Beogradit drejt partneritetit politik dhe strategjik me Rusinë dhe Kinën. Kjo qasje kërkon vëmendje serioze nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Albanians for America u shpreh mirënjohje senatorëve Grassley dhe Blumenthal, si dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që kanë mbështetur këtë nismë, për angazhimin e tyre ndaj demokracisë, zgjedhjeve të lira, lirisë së medias, sundimit të ligjit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.


























