Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka marrë nën kontroll kompleksin turistik “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.
Aksioni ka filluar rreth orës 12:00 dhe po vazhdon ende. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani i cili tha se Policia vetëm po asiston AKP-në.
Në vendin e ngjarjes janë edhe Dogana e Kosovës të cilët po konfiskojnë mallra nga hapësirat brenda objektit. Kryesisht kanë marrë pije alkoolike që dyshohet se kanë qenë të kontrabanduara.
“Sot rreth orës 12.00 kemi asistuar Agjencinë Kosovare për Privatizim në marrjen nën menaxhim të kompleksit hotelier “Rajska Banja”. Gjatë këtij aksioni nuk ka patus ndonjë problem”, ka thënë Elshani.


























