Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka shpallur shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 75.
Në këtë valë të shitjes janë përfshirë gjithsej 258 prona, të shpërndara në gjashtë rajonet e Kosovës. Sipas AKP-së, asetet ofrojnë mundësi investimi në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, banimin, tregtinë, shërbimet dhe logjistikën.
Në mesin e pronave të ofruara janë njësi bujqësore me sipërfaqe të përshtatshme për bujqësi intensive dhe pemëtari, njësi rezidenciale për zhvillim urban e rural, prona komerciale, depo dhe lokale afariste.
AKP-ja thotë se sipërfaqet e pronave variojnë nga njësi të vogla, të përshtatshme për investitorë individualë, deri te prona më të mëdha me potencial për zhvillimin e projekteve të agrobiznesit, qendrave rurale dhe projekteve të banimit.
Afati për dorëzimin e ofertave është 9 shtator 2026, nga ora 10:00 deri në 12:00. Ofertat duhet të shoqërohen me depozitën dhe tarifën për paraqitjen e ofertës, sipas kushteve të përcaktuara për secilën pronë.
Hapja e ofertave do të bëhet po atë ditë, duke filluar nga ora 12:30.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ftuar individë, biznese, pjesëtarë të diasporës dhe investitorë të huaj që të marrin pjesë në proces, ndërsa ka bërë të ditur se të interesuarit kanë mundësi të marrin informata shtesë dhe të vizitojnë pronat para dorëzimit të ofertave.
Sipas AKP-së, kjo valë e shitjes synon të krijojë mundësi konkrete për investime dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit përmes shfrytëzimit të pronave me potencial zhvillimor.


























