Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur fillimin e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë mbi punësimet e reja në një konkurs të KEK-ut, duke thënë se çdo pretendim për parregullsi të mundshme duhet të merr epilogun nga drejtësia.
LDK-ja sot akuzoi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje për punësim në baza partiake në KEK, pas së cilës Prokuroria njoftoi për nisjen e hetimeve.
Haxhiu tha se akuzat e tilla kanë më tepër për qëllim ta dëmtojnë Vetëvendosjen sesa që diçka e tillë qëndron.
“Vetëvendosje nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë asnjëherë në procese të tilla. Vetëm personat që e meritojnë t’i marrin ato pozita do t’i marrin. Asnjëherë kriter për punësime s’do të merret anëtarësia partiake. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të trajtohen të barabartë“, tha Haxhiu për RTK.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një shënimi në Facebook, ka akuzuar sot partinë që drejton me Qeverinë se kishte paracaktuar personat që do të punësoheshin nga konkursi publik.
“Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet”, ka shkruar Abdixhiku.