Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është zyrtarisht mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Dekretin për mandatimin e Kurtit e ka nxjerrë ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka bërë me dije se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dekret thuhet se Albin Kurti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Z. Albin Kurti është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas dekretit, mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të kërkojë miratimin e tij.
Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.
Haxhiu i ka uruar Kurtit sukses në ushtrimin e përgjegjësive të tij, duke theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të Qeverisë.
“Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar tutje Haxhiu.



























