Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka bërë thirrje për bashkim dhe vazhdim të kërkimit të drejtësisë, gjatë fjalimit të tij në protestën e mbajtur në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Krasniqi tha se aktgjykimi nuk duhet të shihet vetëm si çështje që lidhet me katër individë, por, sipas tij, prek një kapitull më të gjerë të historisë së Kosovës dhe sakrificën e shumë njerëzve.
“Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme. Jam para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli. Lufta jonë ka qenë për liri, për dinjitet, luftë e një populli që për dekada ka qenë i përbuzur”, tha ai.
Duke folur për aktgjykimin e shpallur në Hagë, Krasniqi u shpreh se ai prek, siç tha, edhe sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë atyre që kanë vuajtur gjatë periudhës së luftës dhe para saj.
“Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik, çdo të zhdukuri e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë”, deklaroi Krasniqi.
Ai tha se nuk do të ketë dorëzim dhe se kërkimi i drejtësisë do të vazhdojë.
“Sot nuk do të dorëzohemi. Nëse dorëzohemi sot, do të na gjykojë edhe e ardhmja. Do të na pyesin fëmijët tanë se çfarë bëtë kur historia iu vuri në bankën e të akuzuarve, çfarë bëtë kur çlirimtarët u vunë në pikëpyetje. Përgjigjja jonë do të jetë e qartë: NUK U DORËZUAM”, tha ai.
Në fund të fjalimit, Krasniqi u bëri thirrje shqiptarëve dhe partive politike që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të bashkohen.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi! Prandaj, sot i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike t’i lëmë anash dallimet politike, të bashkohemi”, u shpreh Altin Krasniqi.


























