Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka vlerësuar bashkëpunimin me institucionet kosovare në luftën kundër krimit kibernetik transnacional, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi, Ambasada amerikane ka falënderuar Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe institucionet e tjera për bashkëpunimin në trajtimin e një rasti të krimit kibernetik.
Reagimi i Ambasadës vjen pasi FBI ka njoftuar se Ardit Kutleshi, shtetas i Kosovës, është shpallur fajtor për krijimin dhe operimin e “Rydox”, një treg online ku, sipas FBI-së, shiteshin mjete për kryerjen e krimeve kibernetike dhe të dhëna sensitive, përfshirë identitete të vjedhura dhe të dhëna për qasje në llogari.
“FBI dhe partnerët e saj të huaj mbyllën tregun dhe tani njeriu që e krijoi dhe e drejtoi do të përballet me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e FBI-së, të shpërndarë nga Ambasada amerikane.
FBI ka deklaruar se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përdorimin e mjeteve ligjore për ndjekjen e personave të dyshuar për krime kibernetike dhe çmontimin e infrastrukturës së tyre.


























